Skandali/Luan Lusha, gjyqtari i paprekshëm i Kavajës

Boom Eskluzive
Typography

Ndërkohë që më tepër se 95 % e opinionit publik në Shqipëri është duke pritur, me durimin që po i soset, pastrimin e sistemit të drejtësisë nga të paaftët, të korruptuarit dhe shkatërruesit e tij, procesi i Vetingut është duke ecur me ritme që është pak ti quash të ngadalta.

Kjo ecuri po i jep mundësi, çdo orë dhe çdo ditë, gjyqtarëve dhe prokurorëve, pjesë e sistemit të vjetër dhe të kalbur të drejtësisë, që të vijojnë të shfrytëzojnë maksimalisht kohën e mbetur, bazuar në parimin, ‘të marrim çfarë të mundemi’. 

Shembulli dhe modeli më tipik i degradimit total të sistemit aktual të drejtësisë dhe katandisjes së tij në një institucion krejt banal, është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kavajë, e përfaqësuar denjësisht nga gjyqtari i saj Luan Lusha. Luan Lusha është nga ata gjyqtar që pavarsisht skandaleve të shumta që kanë shënuar karrierën e tij, ka vijuar i qetë dhe i pashqetësuar të ushtrojë detyrën, madje për disa kohë edhe si Kryetar i Gjykatës Kavajë.
Bëmat e tij janë të pafundme, por sa më shumë rriten bëmat e tij, aq më i paprekshëm dhe i plotfuqishëm bëhet ai. Luan Lusha është gjyqtari që dënoi vrasësin e gjyqtares Fildeze Hafizi, i cili edhe më parë kishte tentuar ta vriste këtë të fundit në sy të fëmijëve të saj, më pak se një hajdut i thjeshtë çumçakizash. Rezultati i këtij dënimi, qe fundi tragjik i magjistrates së re dhe të përkushtuar. Sipas vendimit të dhënë nga Luan Lusha, Fadil Kasemi, edhe pse kishte shkuar me armë zjarri tek gjyqtarja, e cila kishte marrë edhe urdhër mbrojtje, u dënua vetëm për “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Pra, jo vetëm që nuk u dënua për tentativë vrasje, që kishte qenë qëllimi i vërtet i tij, sikurse e provoj edhe koha, por nuk u dënua as për faktin e thjeshtë që kishte shkelur një vendim Gjykate që e ndalonte ti afrohej gjyqtares Hafizi, fakt që Luan Lusha si gjyqtar i vjetër dhe me përvojë e dinte shumë mirë.
Bëmat e Luan Lushës vijojnë edhe më tej dhe në Shkurt 2018, do të ishte gjyqtari që do të miratonte masat e sigurimit për personat e dyshuar se kishin tjetërsuar pronat e plazhit të Spillesë në mënyrë të paligjshme. Kjo ndodhte ndërkohë që, gjyqtari Luan Lusha dhe familjarë të tij, ishin bërë pronarë të një prone pikërisht në Spille, ku kanë ndërtuar edhe një biznes privat. Për ironi të fatit më pas rezultoi që, disa nga personat kyç të dyshuar për aferat me pronat në Spille, mësuan për urdhër ndalimet përpara se ato të shkonin në polici, duke i dhënë mundësi që ti largoheshin drejtësisë. Ky rast është dhe personifikimi më i saktë i shprehjes popullore, “Ti varësh ujkut mëlçitë në qafë”.
Aq i bindur është në paprekshmërinë e tij Luan Lusha, saqë sot ka kalur në stadin që i bën karshillëk të hapur drejtësisë, Gjykatës dhe ligjit. Shembulli më tipik i kësaj arrogance përball ligjit është, gjykimi nga Luan Lusha i çështjeve në të cilat djali i tij është Avokat i njërës prej palëve. Duke qenë shumë mirë në djeni të faktit që ligji e ndalon në mënyrë të prerë që të gjykojë çështje ku djali i tij është avokat, Luan Lusha në bashkëpunim të ngushtë me gjyqtaren tjetër të Kavajës, Entela Shedula, dhe duke e trajtuar ligjin si pronë të tyre personale, ka vijuar të gjykojë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares në fjalë. Ajo që e bën edhe më skandaloz këtë situatë është fakti që kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Entela Shedula ishte bërë pikërisht për shkak të favorizimit të hapur që i kishte bërë në gjykim avokatit Betim Lusha, djali i Luan Lushës. Pra, në Gjykatën e Kavajës është krijuar në plotë kuptimin e fjalës një celulë, e cila ligjin dhe drejtësin e trajton si një mjet për të realizuar qëllimet e saj personale, ndërkohë që njerëzit e dëshpëruar vijojnë të kërkojnë drejtësi prej saj.
Kulmi i arrogancës përball ligjit, drejtësisë, madje edhe përballë institucioneve të reja të drejtësisë, të cilat po realizojnë procesin e Vetingut, është parkimi nga Luan Lusha dhe djali i tij Betim Lusha, të makinave të tyre superluksoze, një “BMW X5”, prodhim i vitit 2010 dhe një “Audi A7”, në oborrin përpara Gjykatës. Automjete të cilat, të dyja së bashku, nëse do të ishin blerë të përdorura, që vështirë të jetë rasti, kanë kushtuar së paku 70.000 euro.
Ndërkohë që ne vazhdojmë të presim të shumëpriturin Veting, drejtësia e rrëmbyer nga Luan Lusha, Entela Shedula, dhe shumë të tjerë si ta, vazhdon të ikë në drejtim të paditur, deri sa të mbërrijmë në pikën ku drejtësia do ngelet thjeshtë një fjalë më shumë në fjalorin shqip-shqip.