NASA: Akulli në Arktik ndodhet në nivel të ulët dhe shqetësues

boom+
Typography

Agjencia Amerikane e Aviacionit dhe Hapësirës (NASA) bëri të ditur se niveli dimëror i akullit të detit Arktik është në shkallën më të ulët të regjistruar ndonjëherë, raporton Anadolu Agency (AA).

Shkencëtarët e kësaj agjencie kanë zbuluar se niveli i akullit gjatë stinës së dimrit të vitit 2018 është i dyti më i ulët që prej kur NASA filloi matjet e akullit përmes satelitit në vitin 1979. Niveli më i ulët u regjistrua dimrin e vitit 2017.

Çdo dimër, akulli që mbulon oqeanin Arktik dhe i cili rrethon polin e veriut trashet dhe zgjerohet në sipërfaqe, që më vonë në pranverë të hollohet duke u tërhequr.

Në njoftimin e fundit të NASA-s thuhet se sasia e akullit të matur më 17 mars të këtij viti ka qenë afërsisht 14.5 milionë kilometra katrorë. Kjo sasi ishte për 60.000 kilometra katrorë më shumë se rekordi më i ulët i regjistruar në mars të vitit 2017.

Niveli maksimal i akullit gjatë dimrit të vitit 2018 ishte dukshëm më i ulët se niveli mesatar i regjistruar në periudhën e njëjtë midis viteve 1981 dhe 2010, më saktësisht me 1.16 milionë kilometra katrorë. NASA vuri në dukje se kjo sasi është e barabartë me një zonë që është më e madhe se shtetet Teksas dhe Kaliforni së bashku.

“Akulli i detit Arktik vazhdon me një trend të rënies dhe kjo lidhet me ngrohjen e Arktikut”, deklaroi Claire Parkinson, shkencëtar në NASA.

“Është rrugë dy kahëshe. Ngrohja do të thotë se do të formohet më pak akull dhe shkrirje më të madhe të tij. Por, për shkak se do të ketë më pak akull, do të ketë edhe më pak reflektim të radiacionit diellor dhe kjo do të shkaktoj ngrohje më të madhe”, shtoi më tej Parkinson.

Shkencëtarët thonë se faktori kryesor për uljen e nivelit të akullit në Arktik është ngrohja globale.

Sipas tyre, efektet e reduktimit të sipërfaqeve të akullta në Polin Verior do të kenë ndikim me një gamë më të madhe të veprimit, nisur nga ndryshimet e motit të cilat do të ndryshojnë klimën sezonale për bimët dhe kafshët të cilat jetojnë afër Qarkut Arktik.