Çfarë po fsheh Zuckerberg? Facebook fshin fshehurazi disa mesazhe privat

boom+
Typography

Facebook ka fshirë disa mesazhe private të Mark Zuckerberg nga frika e rrjedhjes së informacioneve të rëndësishme.

“Daily Mail” shkruan se tre burime të ndryshme konfirmojnë që mesazhe të vjetra të dërguara nga Zuckerberg janë zhdukur nga kutia e tyre postare, transmeton TV Klan.al.

Marrësit e mesazheve nga Zuckerberg nuk u njoftuan për fshirjen, duke ngritur në këtë mënyrë shqetësime se çfarë mund të fshehë shefi ekzekutiv i Facebook. Bëhet fjalë për mesazhe të dërguara në vitin 2010 dhe që tashmë janë fshirë në mënyrë të fshehtë dhe marrësit e mesazheve nuk janë njoftuar. Sipas kushteve të shërbimit të këtij rrjeti social, fshirja e mesazheve në të dyja anët, pra si nga dërguesi dhe nga marrësi, nuk është e lejuar.

Që do të thotë se përdoruesit mund të fshijnë vetëm mesazhet nga kutia e tyre postare, por ato shfaqen në kutinë postare të marrësit dhe nuk mund të hiqen pa dijeninë e këtij të fundit. Facebook është përfshirë në një skandal të të dhënave të privatësisë, duke bërë që shumë përdorues të braktisin këtë rrjet social.