Rrokadë në SHISH/ Shkarkohen dhe emërohen 9 drejtorë të rinj

Nga vendi
Typography

Pa kaluar 2 muaj nga largimi i Visho Ajazit, zëvëndësi i tij, Helidon Bendo largoi nga detyra të gjithë drejtuesit e mëparshëm.

Spastrimi në SHISH gjatë kësaj kohe është rrënjësor dhe stafi i vjetër drejtues është lëvizur.

Vlen të thuhet se një pjesë e të shkarkuarve kanë marrë vlerësime nga partnerët e huaj, në veçanti nga SHBA, ndërsa të gjithë janë bashkëhartues të raporteve të zbulimit të policëve të implikuar në trafik droge, shkruan Lapsi.al.

Janë zbritur në detyrë Drejtori i Zbulimit, Drejtori i Kundërzbulimit, Drejtori i Bërthamës së Brendshme dhe të Jashtme të Shërbimit, Drejtori i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, Drejtori i Arshivës Sekrete, Drejtori i Personelit, dhe Drejtorët e të gjithë qarqeve.

Lista me emrat e shkarkuar nga detyra

ish Drejtori i Zbulimit, Ferdinand Marku
ish Drejtori i Kundërzbulimit, Kujtim Prifti
ish Drejtori kundër Krimit të Organizuar, Robert Tuci
ish Drejtori i Arshivës Sekrete, Nestor Babameto
ish Drejtori i Sigurisë së Personelit, Astrit Qinani
ish drejtori i Tiranës, Nevzat Shehu dhe dy ish nëndrejtorët
ish Drejtori i Durrësit, Tonin Prendi
ish Drejtori i Dibrës, Bardhok Gega
ish Drejtori i Krimit Ekonomik dhe Antikorrupsionit, Hazbi Brahj

Lista me drejtuesit e rinj të emëruar në detyrë

Mevlut Matraku, drejtor i Performancës
(krijohet drejtori e re)
Refail Milo, Drejtor i Administratës- (krijohet drejtori e re)
Qerim Dede, Drejtor i Sigurisë në Aparatin Qëndror
Gëzim Bime, drejtor në KKE në Aparatin Qëndror
Agim Karalliu, Drejtor i SHISH në Tiranë
Ilir Tafa, Drejtor i SHISH, Durrës
Eltjon Nikolla, Drejtor i SHISH në Fier
V.E drejtor i SHISH në Elbasan
R.S, Drejtor i SHISH, Sarandë
Astrit Alija Drejtor i SHISH, Dibër
Ismail Salliu Drejtor i SHISH, Vlorë,
Xhevdet Zeqo, Drejtor i SHISH, Gjirokastër,
Julian Marku Drejtor i KKON në AQ

Vlen të thuhet se vetë Bendo ka një bashkëpunim të gjatë me ish drejtuesit e shkarkuar, pasi ka qenë zëvëndës i Visho Ajazi Likës. Për momentin, Helidon Bendo, mbetet drejtuesi i komanduar i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe ende nuk është dekretuar nga Presidenti Ilir Meta.

Raportet që hartoi SHISH kanë qenë temë diskutimi në një mbledhje të Këshillit të Sigurisë. Bujar Nishani ka pranuar se veç Edi Ramës, me të dhënat ishte njohur ish Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

Ishte koha kur akuzat ndaj Edi Ramës për lidhje me krimin dhe drogën u përshkallëzuan me çadrën e protestës para kryeministrisë. Ishte koha kur Rama dhe Tahiri i gruponin në “frontin e së keqes”, ata që denonconin kanabisin.

Raportet e Shërbimit Informativ Shtetëror sinjalizonin se situata kishte dalë jashtë kontrollit në policinë e shtetit.

Ato ishin dëshmi tronditëse se deri ku shkoi implikimi i policisë në biznesin e kanabisit.

Një skandal të këtyre përmasave, qeveria nuk mund t’ia lejonte vetes para zgjedhjeve. Të dhënat u mbajtën të fshehta deri kur Antimafia Italiane arrestoi Habilajt, solli përgjimet në Tiranë dhe skandali shpërtheu fort në opinionin publik.

Po bëhen 5 muaj që kur italianët sollën në Shqipëri materialet e dosjes Tahiri. Janë dashur pak muaj që gjithçka të ndryshojë në prokurori dhe në SHISH, jo thjesht në emrat e drejtuesit, por edhe në nivelet e tjera të të dy institucioneve.