Lufta me Ramën/ A po përgatit Veliaj rikthimin e Beketit në krye të Top Channel?

Nga vendi
Typography

Një luftë e fortë pushteti po zhvillohet këto kohë brenda radhëve të Partisë Socialiste.

Është një situatë, ku përfshihen kryeministri Edi Rama e përballë tij gjendet njeriu që është konsideruar prej kohësh si pasuesi i tij, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.

Në mesin e tyre, për momentin, qëndron televizioni më i madh në vend, Top Channel dhe ambicja e biznesmenit të njohur nga Italia, Francesko Bechetti, për të blerë gjigandin informativ shqiptar.

Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk janë në ditët e tyre të “muajit të mjaltit”. Stafet e tyre e dinë tashmë që, vetëm një vit nga zgjedhjet e ardhshme lokale, dy figurat kryesore të Partisë Socialiste kanë ftohur raportet. Madje, arrihet më larg, sa njerëz të afërt të kryebashkiakut të Tiranës shprehen me garanci se Rama-Veliaj kanë ndërprerë komunikimin prej të paktën 2 muajsh.

Veliaj, nëpërmjet favoreve të tij, ka arritur të zhvillojë kontakte pozitive me televizionin Top Channel, i cili aktualisht administrohet nga pronarja e vetme, Vjollca Hoxha, e veja e themeluesit Dritan Hoxha. Televizioni prej kohësh konsiderohej si zgjatim i zyrës së shtypit të Kryeministrit. Por ai filloi shkëputjen prej Ramës në periudhën Shtator-Tetor 2017. U përfolën shumë arsye të kësaj ftohjeje dhe të gjitha lidheshin me një “hatërmbetje” të Vjollca Hoxhës për shkak se kryeministri nuk po e ndihmonte financiarisht Top Channel.

Prej asaj kohe, Top Channel është shndërruar në një mjet i fuqishëm propagande për kryebashkiakun e Tiranës. Në lajmet e këtij televizioni, i cili aktualisht drejtohet nga ish-deputeti Ben Blushi, një kritik i ashpër publik i Edi Ramës, Veliaj prezantohet si “hero”, “njeri që ndihmon të pamundurit”, “një kryebashkiak që qëndron në krye të punëve dhe po lulëzon Tiranën”.

Në garën e pushtetit Rama-Veliaj, e cila po zhvillohet në terrenin e Top Channel, po ndërhyn Francesko Bechetti. Investitori italian ka investuar prej vitesh në Shqipëri. Por ai u detyrua të largohej nga vendi ynë, për shkak të një urdhër-arresti lëshuar nga Prokuroria, e cila e akuzon përt “pastrim parash” në vlerën e rreth 40 milionë eurove.

Në kuadër të këtij hetimi, Bechetti u shpall në kërkim ndërkombëtar. Por ai nuk mund të arrestohet jashtë Shqipërisë, pasi një vendim i një Gjykate Arbitrazhi ka urdhëruar Interpolin Qendror, në Lion, të anulojë urdhër-arrestin e lëshuar nga autoritetet shqiptare.

Në Gjykatën e Arbitrazhit, Bechetti ka pretenduar se ndjekja penale ndaj tij ka nisur si pasojë e ndikimit politik, për faktin se një televizion i drejtuar prej tij, Agon Channel, ishte kritik ndaj qeverisë. Ky argument ka bindur Gjykatën e Arbitrazhit, e cila ka vendosur për anulimin e urdhër-arrestit ndërkombëtar.

Urdhër-arresti për Francesko Bechettin është i vlefshëm vetëm në territorin shqiptar. Kjo nuk e pengon aspak atë që të zhvillojë tratativa për blerjen e Top Channel. Këtë fakt e di shumë mirë edhe Edi Rama, i cili nuk preferon që “armiku i tij”, Bechetti, të marrë kontrollin e televizionit më të madh në vend.

Për më tepër, rikthimi i biznesmenit italian në tregun mediatik shqiptar mund të ofrojë mundësi më të mëdha për Erion Veliajn. Tashmë është publik fakti se bashkëshortja e tij, Ajola Xoxe, ka pasur raporte të ngushta bashkëpunimi me Bechettin. Ky bashkëpunim i mëparshëm mund të rikthehet sërish në skenë, duke ndikuar që Edi Rama të shpallet “kundërshtar” i Top Channel. Me Bechettin si pronar dhe linjën e Erion Veliajt në aspektin editorial, kryeministri do të humbi shumë nga pushteti i tij propagandues.

Për këtë arsye, Rama po luan në disa drejtime për të penguar rikthimin e Bechettit Ditët e fundit, ai ka kërkuar nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, që të ri-aktivizojë urdhër-arrestin ndërkombëtar për biznesmenin italian, në një tentativë për të penguar lëvizjen e lirë të tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme u shprehën për “Boldnews.al” se Prokurorja e Përkohshme po mundohet të gjejë elementët procedurialë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese të Kryeministrit. Duket se Arta Marku do ta ketë të vështirë të gjejë një zgjidhje, pasi vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit që anuloi urdhër-arrestin ndërkombëtar, është i detyrueshëm për Interpolin Qendror.

Pra, çdo tentativë e Arta Markut do të rezultojë e dështuar dhe ndoshta ajo do të përballet me acarimin e Edi Ramës, i cili është i papërballueshëm për personat që e konsiderojnë veten poshtë pushtetit të tij.

Ndërkohë, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij dhe drejtues të lartë të Top Channel, po përgatiten për të realizuar kalimin e televizionit në duart e Bechettit. Me Top Channel në krah, por edhe me shumë televizione të tjera që janën nën pushtetin e tij, Veliaj do të jetë më i qetë në garën e ardhshme për kryebashkiak, edhe nëse, për shkak të ndonjë situate “in extremis”, do t’i duhet të kandidojë jashtë strukturave të Partisë Socialiste. /Nga Boldnews/