Të varfër por në vend kryhen 8 mijë ndërhyrje estetike në muaj, vijnë edhe të huaj

Nga vendi
Typography

Tashmë nuk është më sekret, për shqiptarët, rimodelimi i hundës është preferenca e parë e kirurgjive plastike, shifrat e të cilave po rriten çdo vit. Tendenca që po rritet edhe më shumë është përdorimi i botox për rrudhat, si dhe mbushësve për buzët.

Shifrat e importit tregojnë rritje të ndjeshme të vlerës së tyre në vitin 2016. Kjo tendencë mbështetet nga lëvizja “anti-plakje” që po ndodh kudo në botë.

Aktorët kryesorë të tregut thonë se tregu informal po dëmton shëndetin e shqiptarëve, në përdorimin e produkteve të pakontrolluara. Në Itali, përdorimi i silikonit për fryrjen e buzëve është ndaluar që në vitin 1992, por dr. Skerdilajd Faria thotë se në vendin tonë ka ende raste që kryhen pa kriter në sallone bukurie dhe që klientët e pakënaqur u drejtohen klinikave të mira në fund, me shpresën për të korrigjuar, atë që shpesh është e pakthyeshme.

Dr. Skerdi shton se mungesa e një kuadri ligjor të mirëpërcaktuar e bën këtë sektor të ekspozuar ndaj personave jo të kualifikuar që të kryejnë ndërhyrje të tilla. Ata që në fund dëmtohen janë gjithnjë klientët, shpesh të painformuar ose të joshur nga një çmim më i lirë.

Megjithatë, mendësia e shqiptarëve ka ndryshuar dhe pjesa më e madhe e tyre u drejtohen klinikave kryesore të specializuara në vend për ndërhyrje estetike plastike. Dr. Irena Savo pohon se përveç mendësisë, edhe informimi ka ndikuar në rritjen e kërkesave të shqiptarëve për ndërhyrje të tilla.

Sipas saj, janë më të informuar edhe për produktet që përdorin, ndaj dhe aplikimet e injeksioneve të fytyrës për anti-plakje, janë shërbime që bëhen me më pak komplekse. Departamenti i statistikës tregon për kryerjen e 8,000 ndërhyrjeve në muaj, shifër e cila tregon rritjen e tregut të ndërhyrjeve plastike.

Nuk janë vetëm shqiptarët, por edhe të huajt që kërkojnë shërbime të tilla në vendin tonë. Arsyeja është e thjeshtë: çmimi më i lirë. Në vendin tonë po strukturohet, gjithnjë e më i organizuar, turizmi shëndetësor. Klinikat bëjnë tërheqjen e klientëve të huaj, në formën e paketës gjithëpërfshirëse: ndërhyrja, post-operacioni, hoteli, ushqimi etj.

Tregu informal

Nuk përbëjnë më habi sallonet apo qendrat e bukurisë që ofrojnë fryrje të buzëve apo edhe më shumë procedura, në fushën e mjekësisë estetike. Në disa raste janë evidentuar se operojnë në informalitet, duke mos përdorur materiale të kontrolluara. Rastet e atyre që pas një ndërhyrjeje në një sallon të paspecializuar, përfundojnë në klinika më të mëdha, janë në rritje. Mjekët tregojnë se mbetet sfidë për ta që të përpiqen që të ofrojnë një ndihmesë post-ndërhyrje për të tillë individë që bien ‘pre’ e salloneve informale, të cilat në rastin më të mirë përdorin materiale të lira, ndërsa moment i pakthyeshëm mbetet aplikimi i silikonit në to, tërësisht i ndaluar nga mjekësia kudo në botë. Dr. Faria thotë se për këtë ndikon mungesa e një ligji që do të mund të rregullonte tregun dhe do të sillte stabilizim dhe vendosje standardi në këtë sektor. /Monitor/