Rritet sërish çmimi i naftës në Shqipëri, ja çfarë ndodh në tregjet ndërkombëtare

Nga vendi
Typography

Çmimi i karburanteve në tregun vendas ka pësuar një rritje në pothuajse të gjitha pikat e shitjes. Një litër naftë tregtohet nga 3 deri në 5 Lekë më shumë se dy ditë më parë.

Në karburante të ndryshme çmimi varion nga 170 Lekë për litër, duke u barazuar në disa raste edhe me vlerën e benzinës, ndërsa në disa pika tregtohet edhe me 177 lekë.

Gjatë vitit të fundit nafta në tregun vendas nuk ka pësuar luhatje të mëdha, e madje çmimi i saj ka qënë më i lirë se në vitet e tjera për shkak të uljes së vlerës në bursa. Por e kundërta ka ndodhur pas njoftimit të Presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen e marrëveshjes bërthamore me Iranin. Një fuçi naftë kapi çmimin e 77 Dollarëve në tregjet ndërkombëtare, më të lartën që prej Nëntorit të vitit 2014. Rritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare ka reflektuar brenda disa ditësh edhe në Shqipëri.

Deri tani askush nuk ka dhënë një vlerësim se si do të jetë situata në të ardhmen, por paralajmërohet një rikthim i vlerës 100 Dollarë për fuçi për shkak të rënies së eksporteve të Iranit dhe prodhimit në Venezuelë.