Shfaqet “Mrika”, blen 2 helikopterë të rinj për operacionet kërkim-shpëtim

News
Typography

Forcës Ajrore i shtohen dy helikopterë të rinj për operacionet SAR (kërkim-shpëtim), ndërsa katër mjete të blinduara i shtohen Policisë Ushtarake.

 

Në Bazën Ajrore në Farkë është zhvilluar ceremonia e dorëzimit të dy helikopterëve të rinj të tipit EC-145 në konfigurimin SAR (kërkim-shpëtim), si dhe katër mjeteve të blinduara të klasit “Lince” për Policinë Ushtarake. Ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli,  shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jeronim Bazo,  komandanti i Forcës Ajrore, gjeneral brigade Vladimir Avdia, ambasadori i Republikës së Francës në Tiranë, z. Bernard Fitoussi, i ngarkuari me punë i Italisë Marcello Cavalcaselle, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë etj. 

 

Ministrja e Mbrojtjes Kodheli, duke përshëndetur në këtë ceremoni, tha se përfundimi i programit të modernizimit të Forcës Ajrore me gjashtë helikopterët, të cilët operojnë me të njëjtat standarde si në ushtritë e Aleancës, si dhe me përgatitjen e pilotëve dhe teknikëve pranë kompanive me prestigj në fushën e fluturimit, do të bëjë që Forca jonë Ajrore të jetë një vlerë e shtuar, jo vetëm për garantimin dhe rritjen e sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve ajrore brenda vendit, por në të njëjtën kohë ne do të kemi mundësi që të kryejmë operacione të përbashkëta në bashkëpunim me komandat e NATO-s për t’i dhënë zgjidhje situatave të ndryshme. 

 

 

/Boom.al/

boomalbania@gmial.com