Tërhiqet Ahmetaj, letër Tatimeve: Jo gjoba biznesit të vogël për gabimet në deklarim

Politik
Typography

Ditën e sotme Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj i ka dërguar një letër administratës tatimore në të cilën kërkon mos aplikimin e gjobave deri në dhjetor 2018 për gabimet në deklarim për një periudhe 6-mujore për bizneset e vogla që hyjnë në pragun e TVSH.

Ahmetaj në letrën drejtuar Tatimeve thekson rëndësinë dhe përgjegjësinë e administratës tatimore për informimin sa më korrekt dhe komunikimin me cdo tatimpagues që preket nga ulja e pragut të TVSH, për të garantuar kuptueshmëri sa më të gjerë të procesit dhe shmangien e parregullsive.

Sjellim në vëmendje që bizneset e vogla me qarkullim deri në 2 milionë lekë kanë kundërshtuar uljen e pragut që bëri qeveria duke i futur në TVSH.

Nuk kanë qenë të pakta edhe reagimet e biznesit në Tiranë, Fier, Korçë dhe qytete të tjera, të cilët në shenjë proteste kanë ulur qepenin.