Sondazhi nëse do votohej sot: PS 47%; PD 36%; LSI 13%; të tjerat 4%

Politik
Typography

Nëse zgjedhjet parlamentare zhvillohen sot, rreth 630 mijë zgjedhës me banim në Shqipëri nuk janë gati të votojnë për asnjërën nga partitë aktuale.

Numri i pjesëmarrësve do të ishte rreth 130 mijë më i vogël se numri i atyre që morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme.

PS-ja do të merrte votat e rreth 47% të zgjedhësve të gatshëm për të votuar sot, PD-ja rreth 36% dhe LSI-ja rreth 13% (partitë e tjera do të merrnin diferencën).

Kështu ka rezultuar nga sondazhi elektronik i këtij muaji, në serinë e sondazheve të zhvilluara kohët e fundit nga Eduard Zaloshnja për revistën Follow Business Albania, e cila publikohet nga firma CROSG®. Konkretisht, të anketuarit iu përgjigjën (përmes klikimit), këtyre dy pyetjeve:

Për kë do të votonit, nëse do të zhvilloheshin zgjedhjet sot?

1-Asnjë;               2-PS;      3-PD;     4-LSI;     5-P. tjetër;          6-S’e di.

Për kë votuat në qershor 2017?

1-S’votova;         2-PS;      3-PD;     4-LSI;     5-P. tjetër;

 

Sondazhi u krye me 1350 të anketuar në rang kombëtar, për ta përfaqësuar elektoratin shqiptar sa më mirë, demografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit statistikor për këtë sondazh është plus/minus 2.7%

Rënia e pjesëmarrjes duket se ka prekur të gjitha partitë, përveç PD-së, e cila ka regjistruar një fare rritje të përkrahjes (në krahasim me përkrahjen tejet të ulët që pati në zgjedhjet e vjetshme).

Nga analiza e përgjigjeve të të anketuarve, rezulton se tkurrja e përkrahjes është më e theksuar tek partitë e vogla (PDIU, LIBRA, FRD, SFIDA, PSD, etj.). Për çdo 100 të anketuar që kishin votuar vjet për këto parti, sot janë gati të votojnë për to vetëm 42. Dhe kjo shpjegohet me faktin se disa nga partitë e vogla pothuaj janë shkrirë fare.

Ndër 630 mijë zgjedhësit që nuk janë gati të votojnë për anjërën nga partitë aktuale, rreth 160 mijë janë sot të lëkundur (mes votimit dhe mosvotimit).

Ndër ta, rreth 20 mijë votuan vjet për PD-në,ndërsa rreth 140 mijë të lëkundurit e tjerë votuan vjet për partitë “e majta” (PS, LSI, PDIU, PSD, LIBRA, SFIDA, etj.), ose nuk votuan fare.