Mbajtja nën kontroll e peshës trupore është barriera e parë që mund t’u krijojmë sëmundjeve kronike. Jo pa shkak, obeziteti renditet në listën e faktorëve që mund të shkaktojë dëmtime të rënda në organizëm, si sëmundje të zemrës, trurit, diabetit, kancerogjene etj. Por këto pasoja mund të konsiderohen vetëm një aspekt. Problemet psikologjike janë efekti zinxhir, apo ana tjetër e medaljes. Ankth, depresion, mungesë vetëbesimi janë vetëm disa prej këtyre pasojave, që të gjitha së bashku nuk bëjnë gjë tjetër veçse dëmtojnë cilësinë e jetës.
Ndaj edhe për të mos i dhënë “shansin” të sjellë këto dëmtime, mjeku endokrinolog Dashamir Gjergji këshillon që obeziteti të trajtohet nga vetë i sëmuri, së bashku me trupën mjekësore që e drejton, për të pasur në fund suksesin që duam. Në ditët e sotme, mbipesha përbën një epidemi të shfrenuar që ka prekur më shumë se sa ½-ën e popullatës në mbarë botën. Sipas tij, konsiderohen obezë të gjithë personat që kanë peshë trupore 20% më shumë se pesha ideale e tyre. Obeziteti dhe mbipesha, shton doktori, vijnë nga shumë faktorë, qofshin këta të brendshëm, gjenetikë, sëmundje të caktuara, por edhe nga faktorë të jashtëm ambientalë.

SHKAQET E OBEZITETIT
Konsumimi i shumë kalorive është një ndër shkaqet që çon në shtimin e kilogramëve. Nëse kjo nuk vjen e kombinuar me aktivitet fizik, atëherë risku është edhe më i madh. “Është e kuptueshme që teprica e kalorive që nuk harxhohet, do të depozitohet në formën e dhjamit në organizëm. Zakonisht te personat që konsumojnë më shumë yndyra është rreziku më i madh të jenë mbipeshë, por edhe konsumimi i tepërt i sheqernave dhe produkteve të përhapura në masë, si fast-food, konsiderohen si bomba kalorike që më vonë sjellin obezitetin”, pohon mjeku endokrinolog.

diabet
Sipas tij, çdo individ sasinë e energjisë që merr gjatë ditës me ushqime e djeg kryesisht për aktivitet të brendshëm të vetë organizmit, por një përqindje jo e vogël është e destinuar të digjet nëpërmjet lëvizjes, punët me aktivitet fizik, sportet e ndryshme etj. “Në rast se shkojmë drejt reduktimit apo eliminimit të aktivitetit fizik, atëherë me shumë gjasë pjesa që nuk harxhohet, do të mbetet si depozitë dhjamore në organizëm, pra obezitet”. Po ashtu, bazuar mbi faktin nëse jemi apo jo aktivë gjatë ditës, e lidhur kjo ngushtësisht me punën që kryen gjithsecili, mund të dalin në pah edhe profesionet e etiketuara si me risk.

Të tilla sipas mjekut mund të cilësohen profesionet sedentare, në kuptimin e të ushtruarit të një profesioni por pa lëvizur dhe pa pasur aktivitet fizik, si p.sh. mjekë, më- sues, inxhinierë, sekretare etj. “Për fat të keq, popullatat në tërësi sot kanë një prirje drejt ushqimeve të gatshme dhe të shpejta, gjithashtu dhe drejt shtimit të kohës pa lëvizur, qëndrimi pranë kompjuterit, pa aktivitet fizik.
Kjo “sindromë sociale” nuk ka kursyer madje as fëmijët. Shumica e fëmijëve obezë, që janë pesëfishuar në krahasim me dekada më parë, janë fëmijë që nuk ushtrojnë aktivitet fizik, nuk preferojnë sportet dhe lojëra në natyrë, por mbyllen në shtëpi me lojëra elektronike etj.”. Si shkak i tretë renditet pagjumësia.
“Mosrealizimi i gjumit të mirë është një nga faktorët kryesorë që shkakton obezitet, kjo ndodh sepse duke mos bërë një gjumë normal, sidomos kur reduktojmë orarin e gjumit, nuk i kemi dhënë mundësinë organizmit të prodhojë gjatë gjumit atë substancë mjaft të nevojshme, p.sh. hormone që i duhen çdo individi për të realizuar një metabolizëm normal. Hormonet kryesore që lidhin gjumin me metabolizmin janë leptina, grelina, kortizoli etj.”. Stresi është po ashtu një faktor jo i rrallë në shkaktimin e obezitetit. Shpesh individët e stresuar e konceptojnë marrjen e ushqimit si një lehtësi apo veprim antistres.
Me frymën e besimit është kultivuar edhe bindja se pirja e duhanit ndihmon për humbjen e kilogramëve të tepërt. Për rrjedhojë, lënia do të japë efektin e kundërt. Një fakt i tillë konfirmohet edhe nga mjeku, por lajmi i mirë është që kjo nuk ndodh pashmangshmërisht te çdo individ që ndërpret cigaren.

Të tjerë faktorë mund të veçojmë barnat e ndryshme që konsumohen, përdorimi i substancave që modifikojnë strukturën e hormoneve dhe sëmundje të caktuara të organizmit, të tilla si prodhimi i pakët i gjëndrës tiroide, e cila çon në ulje të metabolizmit bazal, për pasojë digjet më pak kalori dhe kemi shtim të peshës. E fundit, ndikim mund të japin edhe gjenet “e sëmura”. Çdo sjellje e organizmit përcaktohet nga harta gjenetike që ne kemi. Ka disa njerëz që kanë një predispozitë mosfunksionimi të gjeneve që janë përgjegjëse për djegien e kalorive, pra nuk funksionojnë siç duhet, në këto raste metabolizmi i tyre konsiderohet si “përtac” apo dembel, e për pasojë vjen obeziteti”, shprehet Gjergji.

TRAJTIMI
Duke pasur në vëmendje të gjithë faktorët e mësipërm, mbipesha duket një kërcënim që nuk bën përjashtime. Pra disa kilogramë më tepër mund të ndodhë t’i marrin të gjithë, por sfidë mbetet heqja e tyre dhe ruajtja e një peshe normale. Ndaj edhe trajtimi i obezitetit synon të arrijë pikërisht këtë. “Sadopak të kemi rënie në peshë tek obezët, do të kemi përfitime maksimale në të gjithë elementët e lidhur me peshën. Arritja e sukseseve, sjell nga ana tjetër edhe një stimul psikologjik dhe ndjenjën e vetëkontrollit të mirë të organizmit. Është e pamundur të arrihet reduktimi i peshës trupore duke u fokusuar vetëm në njërën anë, p.sh. vetëm në dietë apo vetëm në veprimtari fizike, ndaj dhe trajtimi i obezitetit është kompleks dhe relativisht i vështirë”, shprehet mjeku endokrinolog, Dashamir Gjergji.
Në këndvështrimin e tij, suksesi i rënies në peshë konsiston në gërshetimin e mirë të dietave, aktivitetit fizik dhe një gjumi të mirë. Lidhur me trajtimin medikamentoz dhe atë kirurgjikal, ai pohon se zakonisht grupet e obezëve që trajtohen me barna janë ata me obezitet të rëndë, ose edhe ata që vuajnë nga sëmundje bashkëshoqëruese. Ndërsa trajtimi kirurgjikal aplikohet rrallë dhe atëherë kur janë ezauruar të gjitha metodat e tjera që na vijnë në ndihmë. “Kirurgjia bariartrike aplikohet në ndë- rhyrjet që bëhen në stomak dhe zorrët e holla, duke hequr pjesë të caktuara të tyre, ose duke reduktuar ndjeshëm këto struktura.
Duke qenë një metodë invasive, sigurisht nuk përdoret rutinë, por rezervohet më shumë te rastet e rënda dhe kur nuk kanë pasur rezultat metodat e tjera më të lehta”, shton Gjergji, i cili më tej rendit edhe disa këshilla praktike për të fituar betejën me kilet e tepërta. DIETAT “Dietat duhet të përfshijnë kryesisht produkte bimore të pasura me fibra dhe të varfra me kalori. Këshillohen gjithashtu të gatuhen pak, të mos përpunohen apo të shtohen elementë të tjerë në gatim si p.sh. yndyra, vajra etj.
Nuk duhet të prishet balanca ditore e makronutritientëve, sërish karbohidratet natyrore duhet të përbëjnë 50- 60% të dietës, proteinat rreth 20% yndyrat jo më shumë se 15-20% të dietës, duhet të kufizohen yndyrat shtazore dhe preferohen më tepër sterolet, fitosterolet, pra yndyrat me origjinë bimore si p.sh. nga arrat, bajamet, kikiriku, fëstëk, vaji i ullirit etj. Duhet të reduktohet sasia e brumërave kryesisht e bukës, gjithashtu preferohet buka integrale, por edhe makaronat, orizi dhe drithërat e tjera duhet të jenë të tilla (të papërpunuara ose integrale) në mënyrë që të marrim më pak kalori dhe të sigurojë sasinë e mineraleve dhe fibrave të duhura.
Nuk duhet të harrojmë edhe përdorimin e ujit, rekomandohet marrja e 6-8 gotave uji në ditë. Kategorikisht duhet të ndalohen të gjitha produktet e gatshme “fast food”, ëmbëlsirat me karbohidrate të përpunuara, pijet energjike me sheqer, biskota, çokollata dhe shumë asortimente të tjera të gatshme”.
VAKTET
“Nuk rekomandohet ndërprerja e ushqimeve në mënyrë të menjëhershme, por synohet të zvogëlohen vaktet në sasi dhe kalori, dhe të mos lihet kohë e gjatë pa u ushqyer mes vakteve, në mënyrë që organizmi të ndiejë gjendje urie. Kështu, regjimi ideal do të ishte që të merreshin tri vakte kryesore, por të reduktuara në kalori, si dhe 2-3 nënvakte, kryesisht me ushqime të thjeshta, fruta etj.”. Burimi : Panorama 

boom.al

boomalbania@gmail.com

 

 

E njohur për egjiptianët si bima e pavdekësisë dhe për amerikanët indigjenë si skeptri i parajsës, aloe vera ka një seri cilësish shëruese të mrekullueshme, për disa prej të cilave mund të jeni të vetëdijshëm.

Leggi tutto...

Artikuj te tjere...